Znj.Eglantina Bardhi
Anëtare e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile- Fusha e Veprimit: Përmirësimi i mirëqenies, shërbimeve sociale, mbrojtjes
Eglantina Bardhi është një nga themelueset e organizatës “Together for Life” dhe aktualisht mban postin e Drejtorit Ekzekutiv. Ajo ka një përvojë të gjatë si gazetare, duke mbuluar sektorin e shëndetësisë dhe çështjet sociale në gazeta si “Shekulli” dhe “Balkan”, si dhe ka ndjekur trajnime në Gazetari Investigative dhe mbi disa çështje të të Drejtave të Njeriut në Institutin Shqiptar të Medias. Që nga viti 2009 ajo ka qenë përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e disa projekteve, me një fokus të veçantë në projekte që lidhen me shëndetësinë dhe median. Në vitin 2014 ajo u vlerësua nga Ambasada Amerikane në Tiranë për krijimin e Klubit të Gazetarëve për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, ndërsa në vitin 2011 ishte përgjegjëse për themelimin e gazetës së parë të shëndetësisë “Shëndet+”, mbështetur financiarisht nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë. Eglantina vazhdon të marrë pjesë në nivel kombëtar në forume dhe diskutime të aktivistëve që lidhen me temat në fokus të organizatës, veçanërisht shëndetësinë dhe median. Ajo ka një diplomë Master në Shëndet Publik dhe një diplomë në Drejtësi (BA) nga Universiteti i Tiranës.
Ajo është vlerësuar nga USAID si krijuesja e Klubit të Gazetarëve të Shëndetit në Shqipëri, 2014; vlerësuar si Gazetarja më e Mirë e Çështjeve Sociale nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta, 2010; vlerësuar si Gazetarja e Vitit e Gazetës Kombëtare Ditore “Shekulli”, 2009; vlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë si gazetarja më e mirë e sektorit të Shëndetësisë në Mediat e Shkruara, 2007; Klubi i Gazetarëve të Shëndetësisë, certifikuar nga USAID etj.